Dita Botėrore e Meteorologjisė

Prof. Dr. Petrit ZORBA

Kjo ditë do të festohet në të gjithë botën më 23 mars 2016 nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM/WMO) që përfshin 191 shtete, dhe ku çdo vit trajtohet një tematikë e caktuar. Kjo veprimtari ka nisur më 23 mars 1961. Origjina e saj nis me Organizimin Ndërkombëtar të Meteorologjisë, me Kongresin e zhvilluar në Vjenë në vitin 1873. 

Zyrtarisht Organizata Botërore e Meteorologjisë u themelua më 23 mars 1950 si pjesë e agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe me qendër në Gjenevë të Zvicrës. 

Shqipëria u bë anëtare e këtij institucioni të rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara më 29 korrik 1957. Si agjenci e specializuar për meteorologjinë e Kombeve të Bashkuara ajo do ta operonte për mbikëqyrjen e motit dhe klimës nga një anë, ndërkohë që do të synonte dhe një hidrologji operacionale, duke përfshirë të gjitha shkencat gjeofizike që lidhen me të. 

 

Përse festohet Dita Botërore e Meteorologjisë?

 

Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM) u themelua me synimin për të krijuar dhe koordinuar një rrjet stacionesh meteorologjike kudo në botë, që do të kontribuonin për të pasur një lundrim detar të sigurt dhe efektiv si dhe për mirëqenien dhe sigurinë e jetës së njerëzve në tërësi. Ajo ka një rol të rëndësishëm në vlerësimin e burimeve ujore, sigurimin e ushqimit dhe të transportit. 

Një bashkëpunim në nivel ndërkombëtar kërkohet për të vijuar drejt një rritje progresive për zhvillimin e kërkimeve në fushën e meteorologjisë dhe hidrologjisë operacionale, pasi mjedisi, moti, klima dhe cikli i ujit janë burime natyrore, të cilat kurrë nuk janë konsideruar me kufij kombëtarë apo ndërkombëtarë. 

OBM është Organizatë Ndërkombëtare për Meteorologjinë që ofron mbështetjen më të mirë për këtë bashkëpunim ndërkombëtar. Ajo luan një rol të veçantë dhe komandues në fushën e meteorologjisë duke kontribuar për rritjen e mirëqenies së njerëzimit, për mbrojtjen e jetës dhe pronës nga dukuritë ekstreme të natyrës. Ajo përpiqet për mbrojtjen e mjedisit të Tokës, synon për një rritje ekonomike dhe mirëqenie sociale për njerëzimin, nëpërmjet kontributeve për sigurimin e ushqimit, vlerësimin e burimeve ujore dhe sigurinë në transport. 

Disa vite më parë një panel ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike u themelua nga OBM dhe nga Programi Mjedisor i Kombeve të Bashkuara, për të punuar direkt në mbikëqyrjen e atmosferës globale. Ai është vlerësuar me çmimin Nobel në vitin 2007 për evidentimin shkencor mbi “Ndryshimet klimatike të sjella nga veprimtaria njerëzore”. 

 

Si festohet Dita Botërore e Meteorologjisë?

 

Deri më sot ajo ka përmbledhur një sërë veprimtarish që kanë të bëjnë me simpoziume, ekspozita, takime, intervista, mbledhje me liderë të shoqërisë, debate mediatike mbi tematika të caktuara etj. 

Tematikat në të shkuarën kanë qenë nga më të ndryshmet si p.sh.: meteorologjia si faktor për zhvillimin ekonomik, meteorologjia dhe bujqësia, meteorologjia dhe turizmi, meteorologjia dhe telekomunikacioni, apo në lidhje me energjinë, aviacionin, lundrimin detar, transportin rrugor, ndryshimet klimatike, edukimin, sigurinë publike, dukuritë ekstreme, zvogëlimin e impakteve nga ndryshimet klimatike apo politikat e përshtatjes, meteorologjia dhe media, dhe deri tek tematika mjaft domethënëse “Meteorologjia si një model i bashkëpunimit ndërkombëtar”. Për këtë vit tematika e sugjeruar është: “Më nxehtë, më thatë, më lagët. Ta përballojmë të ardhmen”.

 

(Autori është përgjegjës i Departamentit të Klimës dhe Mjedisit, UPT - IGJEUM)

National Centre for Forecast and Monitoring of Natural Risks

 

Monitoring of seismic activity Center

Monitoring real-time 24/24 hours

Monthly Seismological Bulletin

Periodic publication of earthquake wave data, source parameters and their magnitudes...