Kërkimi Shkencor - Departamenti i Sizmologjisë
Departamenti i Sizmologjisë luan një rol qendror në sistemin kombëtar të kërkimit shkencor në fushën e sizmologjisë, përmes veprimtarive kërkimore të orientuara drejt monitorimit dhe analizës së vazhdueshme të aktivitetit sizmik, përpunimit të të dhënave sizmologjike dhe zhvillimit të metodologjive shkencore për vlerësimin e burimeve sizmike dhe rreziqeve të lidhura me to.
Veprimtaria kërkimore është e strukturuar në dy fusha kryesore, në përputhje me konfigurimin e rrjetit kombëtar të monitorimit dhe me prioritetet strategjike të kërkimit. Departamenti është gjithashtu në proces të forcimit të ekspertizës në modelimin e burimeve sizmike, sizmologjinë statistikore, aplikimet e inteligjencës artificiale (Machine Learning), si dhe vlerësimin probabilistik të rrezikut sizmik.
Sizmologjia e Tërmeteve – Rrjeti Sizmiometrik me Brez të Gjerë
Fusha mbulon monitorimin e tërmeteve, karakterizimin e burimit sizmik dhe përpunimin e të dhënave, në funksion të zhvillimit të metodologjive për vlerësimin e aktivitetit sizmik.
Drejtimet kryesore:
- Monitorim automatik dhe lokalizim i ngjarjeve sizmike
- Menaxhimi i rrjetit sizmiometrik dhe arkivës kombëtare të të dhënave
- Gjenerimi i ShakeMap dhe analiza e ndikimit në kohë reale
- Analiza statistikore e shpërndarjes sizmike dhe sekuencave tërmetore
- Përllogaritja e tenzorit të momentit dhe analiza spektrale e burimit sizmik
Sizmologjia e Lëkundjeve të Forta – Rrjeti Akselerometrik
Fusha fokusohet në monitorimin dhe analizën e të dhënave akselerometrike, për vlerësimin e ndikimit të tërmeteve në kohë reale dhe afatgjatë.
Drejtimet kryesore:
- Përpunimi i të dhënave të rrjetit akselerometrik
- Modelimi i lëkundjeve të forta dhe hartimi i ShakeMap
- Analiza spektrale dhe parametrizimi i ndikimit në infrastrukturë
- Modelimi i intensitetit dhe vlerësimi probabilistik i rrezikut sizmik (PSHA)
- Përdorimi i të dhënave makrosizmike dhe teknikave të inteligjencës artificiale